Tuesday, July 28, 2026
HomeKombetare“Liri për Çlirimtarët” – Shqiptarët protestojnë në Kroaci në mbështetje të krerëve...

“Liri për Çlirimtarët” – Shqiptarët protestojnë në Kroaci në mbështetje të krerëve të UÇK-së

“Liri për Çlirimtarët” – Shqiptarët protestojnë në Kroaci në mbështetje të krerëve të UÇK-së

Qindra shqiptarë janë mbledhur në qytetin e Zarës, në Kroaci, për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me proces gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.

Protesta u zhvillua nën thirrjet “Liri për Çlirimtarët” dhe “UÇK”, ndërsa pjesëmarrësit mbanin flamuj kombëtarë shqiptarë dhe pankarta me mesazhe që kërkonin drejtësi dhe një proces të paanshëm gjyqësor. Aktiviteti nisi me intonimin e himnit kombëtar shqiptar, duke krijuar një atmosferë emocionale mes pjesëmarrësve.

Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, i cili deklaroi se tubimi kishte për qëllim të ngrinte zërin kundër asaj që protestuesit e konsiderojnë padrejtësi ndaj ish-udhëheqësve të luftës.

“E kemi këtë protestë në Zarë për padrejtësitë. Liri për çlirimtarët, rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Lavdi dëshmorëve të kombit,” u shpreh Gucati para të pranishmëve.

Pjesë e protestës ishin edhe veteranë kroatë, të cilët iu bashkuan shqiptarëve në shenjë solidariteti. Organizatorët theksuan se tubimi synonte të kërkonte respektimin e standardeve të një procesi të drejtë gjyqësor dhe trajtim të barabartë për të akuzuarit.

Protesta vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata Speciale caktoi 16 shtatorin si datë për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Katër ish-udhëheqësit akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa ata janë deklaruar të pafajshëm gjatë gjithë procesit gjyqësor.

Kjo nuk është protesta e parë në mbështetje të tyre. Gjatë viteve të fundit janë organizuar tubime të ngjashme në Prishtinë, Tiranë, Hagë, Strasburg, Shkup dhe qytete të tjera, ku mijëra shqiptarë kanë kërkuar drejtësi dhe një proces gjyqësor të paanshëm.

Ndërkohë, procesi në Hagë ka nxitur debate të shumta në opinionin publik dhe në qarqet juridike, ndërsa data e 16 shtatorit pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kësaj çështjeje.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments