Prishtinë – Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka zhvilluar një takim bilateral me delegacionin e Forcave të Armatosura të Italisë, në kuadër të planifikimit vjetor të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Gjatë këtij takimi, palët finalizuan dhe nënshkruan Planin Bilateral Vjetor për vitin 2026, një dokument që përcakton aktivitetet, prioritetet dhe fushat e angazhimit të përbashkët për vitin e ardhshëm.
Plani u nënshkrua nga kolonel Ahmet Ajeti, drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-Atlantike, dhe kapiteni Manuel Verdini, përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Italiane.
Delegacioni italian zhvilloi gjithashtu një takim kortezie me drejtorin e Politikave të Mbrojtjes, Faruk Geci, ku u diskutua progresi i bashkëpunimit aktual dhe objektivat e përbashkëta për periudhën në vijim.
Të dy palët riafirmuan vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit, me theks të veçantë në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe shkëmbimet profesionale ndërmjet personelit.
Ministria e Mbrojtjes dhe Republika e Kosovës vlerësojnë lart rolin e Italisë në forcimin e institucioneve të mbrojtjes dhe avancimin e standardeve të sigurisë në vend.
Ky plan bilateral reflekton angazhimin e Kosovës për të forcuar kapacitetet e saj ushtarake dhe integrimin në standardet euro-atlantike. Bashkëpunimi me Italinë pritet të sjellë përfitime direkte për stërvitjen e personelit dhe zhvillimin e infrastrukturës mbrojtëse.
Burimi: Ministria e Mbrojtjes e Kosovës

