Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me zëvendësministrin Shemsi Syla, priti sot në takim përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve Amerikanë të Luftërave të Huaja (Veterans of Foreign Wars – VFW), Komandante Nacionale e VFW-së, Carol Whitmore, dhe drejtor ekzekutiv i Zyrës së Uashingtonit të VFW-së në SHBA, Ryan Gallucci.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat sipas Ministrisë së Mbrojtjes, “janë ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, sakrificë dhe partneritet strategjik”.
Ministri Maqedonci shprehu mirënjohje për kontributin e veteranëve amerikanë në vendin tonë, duke theksuar: “Vlerësojmë thellësisht shërbimin tuaj në Kosovë dhe angazhimin e vazhdueshëm të Organizatës VFW në mbështetje të Kosovës dhe institucioneve të saj.”
Organizata Veterans of Foreign Wars, e cila ka rreth 1.5 milionë anëtarë, është një nga organizatat më të mëdha dhe më me ndikim të veteranëve në Shtetet e Bashkuara, dhe luan një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Ky takim theksoi edhe një herë mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën, si dhe bashkëpunimin e ngushtë në çështje të sigurisë dhe partneritetit strategjik.
🇽🇰🤝🇺🇸
