Prishtinë – Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas pezullimit të tenderit për rehabilitimin e bllokut A3 të Termocentralit Kosova A, duke akuzuar drejtpërdrejt opozitën dhe institucionet e kapura se po pengojnë zhvillimet jetike në sektorin energjetik.
Në një deklaratë publike, Murati tha se “sa herë që KEK tenton të rrisë kapacitetin gjenerues, opozita mobilizohet për ta penguar procesin”, duke përmendur si shembull të fundit pezullimin e tenderit nga OSHP, pas një ankese për “kritere diskriminuese ndaj kompanive vendore”.
Murati ironizon pretendimin duke pyetur:
“Cila kompani lokale ka kapacitet për rindërtim të termocentraleve?”
Ai i referohet direkt deputetes së PDK-së Vlora Çitaku (të cilën e etiketon si “Hykmetja”), për të cilën thotë se “që nga dita e parë ka sulmuar ndërmarrjen KEK” dhe ka festuar pezullimin e tenderit si sukses politik.
Ministri përmendi edhe raste të tjera të ndërhyrjeve, duke akuzuar opozitën për:
- Bllokim të kontratës me General Electric për ndërrimin e turbinave në TC Kosova B1 dhe B2,
- Pengim të marrëveshjes me EIB për 100 MW energji solare,
- Stopim të projektit me kompaninë Bilfinger për rehabilitimin e gjithë blloqeve të Kosova A.
Sipas tij, të gjitha këto janë tentativa sistematike për të sabotuar sigurinë energjetike të Kosovës, në dëm të qytetarëve.
“Vlerësojeni vetë të dashur qytetarë se kush po i shërben mafisë energjetike”, përfundon Murati deklaratën.

Deklarata e Muratit përfaqëson një përshkallëzim të retorikës kundër opozitës në temën e energjisë. Në vend që rehabilitimi i termocentraleve të shihet si çështje teknike dhe emergjente, ai po shndërrohet në betejë politike. Nëse këto projekte janë vërtet të bllokuara për arsye procedurale, atëherë transparenca është jetike. Por nëse ekziston një luftë e fshehtë për kontroll mbi sektorin energjetik, atëherë qytetarët do ta ndiejnë pasojën e saj direkt në faturat dhe mungesën e rrymës.
Deklarata është bërë nga Ministri i Financave të Kosovës, Hekuran Murati, përmes rrjeteve sociale më 4 korrik 2025.
