Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ka reaguar pas lajmit se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tij për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Para mediave, të shtunën, ai mohoi çdo shkelje ligjore dhe deklaroi se ende nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare nga gjykata.
“Së pari, ende nuk kam marrë asnjë ftesë. Nuk mundem me komentuar për një dosje që nuk e kam lexuar. Kur të më thërrasë gjykata, do të paraqitem me plot vullnet. Jam i bindur se nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore, asnjë keqpërdorim, asnjë cent të Republikës së Kosovës,” theksoi Damka, para hyrjes në Kuvend.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për faktin që, sipas tij, përmbajtja e dosjes po përdoret nga parti opozitare dhe po komentohet në media, ndërkohë që as vetë të akuzuarit nuk e kanë parë atë ende.
“Është shqetësuese ta komentojë një dosje një parti opozitare apo mediat, ndërkohë që neve si palë nuk na është bërë e qasshme. Faktet dhe dëshmitë do të paraqiten vetëm në gjykatë,” shtoi ai.
Ministri në detyrë e vuri theksin edhe mbi përfshirjen e Caritasit Zviceran, një nga organizatat përfituese në projektin për të cilin është ngritur aktakuza. Ai e quajti të padrejtë përmendjen e kësaj organizate në kontekst negativ.
“Është fatkeqësi që të përdoret emri i ‘Caritasit Zviceran’, një organizatë që është mbështetje qeveritare e shtetit zviceran dhe që tash e 25 vjet kontribuon me projekte milionëshe në Kosovë. Në këtë rast konkret, Caritasi ka kontribuar me 1.6 milionë euro dhe gjithçka është transparente,” u shpreh Damka.
Ai theksoi se është i qetë dhe i bindur në pafajësinë e tij dhe tha se do të presë që të gjitha sqarimet të bëhen në mënyrë të duhur para trupit gjykues.
“Do të sqarohen të gjitha në gjykatë sepse unë besoj në drejtësinë e Kosovës,” përfundoi Damka deklaratën e tij.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur të premten se ka ngritur aktakuzë ndaj Fikrim Damkës dhe Besim Kamberajt, ushtrues detyre i sekretarit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, për periudhën 16 gusht 2021 – 24 mars 2022. Të dy ata dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore për të favorizuar në mënyrë të paligjshme dy organizata joqeveritare: “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.
Sipas Prokurorisë, veprimet e tyre synonin përfitim të kundërligjshëm financiar për këto dy OJQ, duke vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e ndarjes së fondeve publike.

Rasti ndaj ministrit në detyrë Fikrim Damka ngre sërish pyetjen për transparencën në ndarjen e fondeve publike përmes institucioneve qeveritare. Megjithëse ai mohon akuzat dhe shfaq besim në drejtësi, përfshirja e organizatave ndërkombëtare në këtë çështje e komplikon situatën. Përgjigja e gjykatës do të jetë vendimtare jo vetëm për reputacionin e tij, por edhe për besueshmërinë e qeverisjes së fondeve të donatorëve ndërkombëtarë në Kosovë.
