Driton Krasniqi, qytetari i Klinës që pak ditë më parë bëri bujë pasi u dhunua nga zyrtarë policorë gjatë një arrestimi, është arrestuar sërish, këtë herë për një rast tjetër penal. Arrestimi është bërë me urdhër të prokurorit dhe sipas mbrojtësit të tij ligjor, avokat Alban Krasniqi, nuk ka lidhje me ngjarjen e mëparshme.
Në një deklaratë për “Edicionin Special”, avokati sqaroi se klienti i tij do të merret në pyetje nesër në prani të mjekut dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale. Ai konfirmoi se rasti ka të bëjë me një kanosje të dyshuar, për të cilën ende nuk dihen të gjitha detajet.
“Bëhet fjalë për një rast të ri, për një debat verbal apo përplasje me një apo më shumë të rinj”, tha avokati Krasniqi, duke shtuar se për momentin ekziston edhe një urdhër për vuajtjen e një dënimi me burg prej gjashtë muajsh, që daton nga viti 2024. Për këtë urdhër, mbrojtja ka kërkuar shtyrje të ekzekutimit.
Avokati ngriti shqetësimin se kohëzgjatja dhe mënyra e veprimit të institucioneve mund të krijojnë dyshime për hakmarrje ndaj klientit të tij, duke aluduar se rasti i ri mund të jetë pasojë e ngjarjeve të fundit ku përfshihej edhe vetë Policia.
“Dritoni ka qenë në një gjendje të rënduar emocionale pas incidentit të mëparshëm me Policinë. Është e mundur të ketë qenë i provokuar ose të ketë reaguar në mënyrë të tensionuar. Megjithatë, për ne mbetet shqetësuese që urdhërat e arrestit po shfaqen në këtë mënyrë dhe në këtë kohë, duke lënë përshtypjen e një presioni apo hakmarrjeje ndaj tij”, përfundoi ai.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare për këtë arrestim të ri.

Rasti i Driton Krasniqit po ngre një shqetësim serioz publik lidhur me qasjen e institucioneve të rendit ndaj qytetarëve dhe mundësinë e përndjekjes së mëtejshme të personave që denoncojnë apo përjetojnë dhunë nga ana e zyrtarëve. Edhe pse prokuroria pretendon se arrestimi i fundit nuk lidhet me ngjarjen e mëparshme, përplasja kohore e dy rasteve nuk mund të anashkalohet nga opinioni publik. Mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse drejtësia do të veprojë në mënyrë të pavarur dhe transparente, duke trajtuar secilin rast në mënyrë të ndarë dhe me profesionalizëm.
