Saturday, June 20, 2026
HomeHulumtimeBalotazhi mund të përcaktojë fatin politik të Kosovës: zgjedhje të reja apo...

Balotazhi mund të përcaktojë fatin politik të Kosovës: zgjedhje të reja apo qeveri e re?

Takimi i partive politike me presidenten Vjosa Osmani nuk solli rezultat konkret sa i përket krijimit të qeverisë së re. Edhe pse opozita kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mungesa e numrave dhe e konsensusit e ka lënë situatën politike pezull.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, ka sinjalizuar se mund të bëjë një përpjekje tjetër për të propozuar një mandatar të ri, duke synuar formimin e qeverisë para se vendi të shkojë në zgjedhje.

Profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu, në një prononcim për IndeksOnline, ka theksuar se balotazhi do të jetë vendimtar për drejtimin që do të marrë vendi në ditët në vijim.

“Besoj që do të shkojmë drejt zgjedhjeve. Për shkak të balotazhit kjo është vetëm një manovër për të fituar pak kohë, derisa të dihet rezultati i tij. Sepse rezultati i balotazhit tregon se si mund të jetë edhe rezultati i zgjedhjeve në nivel kombëtar,” ka deklaruar Spahiu.

Sipas tij, nëse Vetëvendosje arrin të fitojë në të paktën gjysmën e 12 komunave ku garon, kjo do ta motivojë që të shkojë menjëherë në zgjedhje të reja, duke e parë veten në avantazh elektoral. Por në rast se humbet shumicën, partia në pushtet mund të zgjedhë një rrugë tjetër: formimin e një qeverie përmes kompromisit politik, pa shkuar në zgjedhje.

“Nëse i humb të gjitha, atëherë do të përpiqet që të bëjë një qeveri pa shkuar në zgjedhje,” ka theksuar Spahiu.

Ai shton se Vetëvendosje mund të caktojë një mandatar të ri si strategji për të fituar kohë deri pas balotazhit, për të vlerësuar më pas nëse i leverdis të kërkojë zgjedhje apo të vazhdojë me negociata për qeverisje.

Kjo situatë shënon një prej periudhave më të ndjeshme politike në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit. Balotazhi, që në dukje ka të bëjë me komunat, po kthehet në një test të fuqisë politike kombëtare. Ai do të tregojë jo vetëm përkrahjen aktuale të Vetëvendosjes, por edhe gjasat për sukses në zgjedhje të ardhshme.

Nëse VV arrin fitore domethënëse në komunat kyçe, do ta përdorë rezultatin si legjitimitet për të kërkuar zgjedhje të reja kombëtare, duke tentuar ta rifreskojë mandatin popullor. Por në rast të humbjeve, partia pritet të orientohet drejt stabilizimit përmes marrëveshjeve politike, ndoshta me parti më të vogla, për të shmangur krizën dhe ruajtur pushtetin.

Në thelb, balotazhi është bërë barometri i ardhmërisë politike të vendit – një test që mund të përcaktojë nëse Kosova hyn në një fazë të re zgjedhore apo në një periudhë kompromisesh të brendshme për formimin e qeverisë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments