Friday, June 19, 2026
HomeHulumtimeKlinikat private të eko-bebes në Mbretërinë e Bashkuar po rrezikojnë jetët e...

Klinikat private të eko-bebes në Mbretërinë e Bashkuar po rrezikojnë jetët e nënave shtatzëna

Shoqata e Radiografëve në Britani të Madhe (SoR) ka ngritur alarmin se disa klinika private që ofrojnë eko për gratë shtatzëna po rrezikojnë seriozisht jetën e nënave dhe foshnjave, duke lejuar persona të pa licencuar e pa kualifikim profesional të kryejnë ekzaminimet.

Sipas raportimeve, këto klinika, të cilat funksionojnë shpesh në qendra tregtare ose rrugë të zakonshme, kryejnë skanime për “kujtim” apo “reassurance” (për qetësim emocional), pa kontroll mjekësor profesional. SoR ka evidentuar raste kur gratë janë diagnostikuar gabimisht me probleme serioze shëndetësore apo janë këshilluar të ndërpresin shtatzëninë pa asnjë arsye mjekësore.

Elaine Brooks, përfaqësuese rajonale e SoR në Midlands, tregoi një rast tronditës:

“Një paciente u dërgua në spital nga një klinikë private pasi i kishin thënë se foshnja nuk kishte rrahje zemre dhe ishte ‘shumë e dëmtuar’. Kur e rishikuam ne, ajo kishte një shtatzëni të shëndetshme prej nëntë javësh. Ishte plotësisht në rregull,” – tha ajo.

Shoqata raportoi gjithashtu raste ku janë humbur diagnoza të rëndësishme si spina bifida, shtatzëni jashtë mitre ose madje gabime të rënda që kanë çuar në pasoja tragjike.

Presidentja e SoR, Katie Thompson, deklaroi se ndonëse ka klinika private shumë të mira me personel të trajnuar, numri i “pop-up klinikave” pa kontroll po rritet me shpejtësi. Ajo përmendi një rast ku një klinikë nuk konstatoi që foshnja ishte në pozicion të rrezikshëm (breech), dhe mungesa e referimit të menjëhershëm çoi në vdekjen e foshnjës.

SoR kërkon që profesioni i sonografit të bëhet një titull i mbrojtur ligjërisht, në mënyrë që vetëm personat e certifikuar dhe të regjistruar të mund ta përdorin këtë titull.

Autoritetet britanike u bëjnë thirrje grave shtatzëna që para çdo ekzaminimi privat të verifikojnë nëse klinika është e regjistruar pranë Care Quality Commission (CQC) dhe nëse sonografët kanë ndjekur kurse të akredituara nga Consortium for the Accreditation of Sonographic Education (CASE).

Edhe pse disa klinika ofrojnë shërbim të sigurt e profesional, mungesa e rregullimit ligjor po lë hapësirë për abuzime që mund të rrezikojnë jetë. Ministria e Shëndetësisë në Britani theksoi se do të shqyrtojë propozimet për forcimin e rregulloreve.

Ky skandal në klinikat private britanike zbulon një boshllëk të madh në kontrollin e shërbimeve mjekësore. Në një kohë kur teknologjia e ekos po bëhet gjithnjë e më e përhapur, mungesa e standardeve ligjore po lejon që siguria e nënave të vihet në rrezik. Kjo situatë tregon se tregu shëndetësor nuk mund të mbështetet vetëm në vetë-rregullim. Nevoja për licencim të detyrueshëm për sonografët është thelbësore për të shmangur tragjedi të panevojshme.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments