Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se Njësia A3 ka rifilluar me sukses operimin pas përfundimit të të gjitha sanimeve dhe ndërhyrjeve teknike të planifikuara.
Sipas njoftimit zyrtar, Njësia A3 është startuar me sukses dhe është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 06:47, duke respektuar të gjitha standardet operacionale dhe parametrat e sigurisë.
Me rikthimin në operim të kësaj njësie, KEK ka rikthyer funksionimin me pesë njësi gjeneruese aktive: A3, A4, A5, B1 dhe B2, për aq kohë sa lejojnë parametrat operacionalë.
Nga KEK bëhet e ditur se ky zhvillim garanton vazhdimësinë e prodhimit të energjisë elektrike, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik në vend.
“Kjo arritje dëshmon aftësinë profesionale të ekipeve teknike dhe menaxhuese për të kryer ndërhyrje preventive dhe riparime të nevojshme në kohë optimale”, thuhet në njoftimin e korporatës.
KEK ka falënderuar stafin teknik dhe punonjësit për reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe përkushtimin e vazhdueshëm, duke theksuar se këta faktorë janë kyç për funksionimin e besueshëm të sistemit dhe prodhimin e sigurt të energjisë për qytetarët.
Në fund, korporata ka ritheksuar përkushtimin e saj ndaj prodhimit të vazhdueshëm të energjisë, stabilitetit të sistemit dhe besueshmërisë së plotë të rrjetit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.
