Reperi i famshëm kanadez Drake, një nga emrat më të mëdhenj të industrisë muzikore botërore, duket se po tregon gjithnjë e më hapur një afeksion të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Me një audiencë gjigante prej mbi 141 milionë ndjekësish në Instagram, çdo postim i tij bëhet menjëherë viral, ndërsa së fundmi, reperi ka tërhequr vëmendjen e publikut shqiptar me një tjetër paraqitje simbolike.
Pas fotografisë ku Drake u shfaq me një xhaketë të kuqe me shqiponjën dykrenare, si dhe asaj ku pozonte me një grup shqiptarësh duke luajtur poker në rezidencën e tij luksoze, artisti ka publikuar një tjetër imazh që ka ndezur rrjetet sociale.
Këtë herë, Drake shfaqet me një kapele të kuqe ku dominon shqiponja dykrenare, simbol kombëtar i shqiptarëve. Edhe pse reperi nuk ka dhënë asnjë shpjegim apo koment shoqërues për fotografinë, ky detaj ka mjaftuar që fansat të nisin aludime dhe diskutime të shumta.
Në komente, ndjekësit kanë shpërthyer me reagime, duke e interpretuar këtë veprim si një shenjë respekti, simpatie apo edhe “fiksimi” të Drake me Shqipërinë dhe kulturën shqiptare. Disa e konsiderojnë si një mënyrë për të nderuar shqiptarët, ndërsa të tjerë shkojnë edhe më tej, duke e quajtur këtë një “dashuri të heshtur” që reperi po e shpreh përmes simboleve.
Nuk është hera e parë që një yll botëror përdor elemente të identitetit shqiptar, por fakti që Drake e ka bërë këtë në mënyrë të përsëritur, e bën situatën edhe më interesante.
Mbetet e paqartë nëse pas këtyre paraqitjeve fshihet ndonjë projekt i ardhshëm, miqësi e ngushtë me shqiptarë apo thjesht një pëlqim personal për simbolet kombëtare. Megjithatë, një gjë është e sigurt: Drake ka arritur sërish të tërheqë vëmendjen e shqiptarëve dhe të pushtojë rrjetet sociale me vetëm një foto.
