Prizren – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Njësitin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, po zhvillon një aksion në ndërmarrjen publike regjionale të pastrimit, “Ekoregjioni”, në Prizren.
Sipas zëdhënëses së PSRK-së, Arbnorë Luta, aksioni lidhet me dy vepra penale: “Keqpërdorim i detyrës ose autoritetit zyrtar” dhe “Mashtrim me prokurim publik”.
Burime të afërta me hetimet, që preferuan të mbeten anonimë, kanë bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” se aktualisht po kryhen bastisje në zyrat e ndërmarrjes.
Prokuroria dhe Policia e Kosovës nuk kanë dhënë detaje të tjera për hetimet, ndërsa aksioni pritet të vazhdojë gjatë ditës, me qëllim identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe mbledhjen e provave.
Ky aksion tregon përpjekjet e institucioneve të drejtësisë për të adresuar dyshimet për keqpërdorime në ndërmarrjet publike dhe për të garantuar përgjegjësinë ligjore.
