VIDEO/ Momenti tronditës kur 18-vjeçari nxjerr thikën dhe plagos 32-vjeçarin brenda Poliklinikës
Janë publikuar pamje të rënda nga incidenti i ndodhur gjatë ditës së sotme në ambientet e Poliklinikës së Shkodrës, ku një 32-vjeçar mbeti i plagosur me thikë pas një konflikti fizik.
Videoja, e siguruar nga Top Channel, tregon momentet kur një 18-vjeçar, i shoqëruar nga babai i tij, afrohet drejt 32-vjeçarit dhe konflikti përshkallëzohet në dhunë fizike.
Sipas pamjeve, fillimisht i riu dhe babai i tij e godasin disa herë me grushte 32-vjeçarin. Më pas, pasi e rrëzojnë në tokë dhe e rrethojnë, situata bëhet edhe më e rëndë.
Në video shihet se 18-vjeçari nxjerr një thikë nga xhepi i pantallonave dhe e godet disa herë 32-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Pas sulmit, i plagosuri ka marrë menjëherë ndihmën e parë mjekësore dhe është dërguar në sallën e operacionit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas informacioneve të raportuara, ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh, pasi sulmi ka ndodhur brenda një institucioni shëndetësor, në prani të qytetarëve dhe personelit mjekësor.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan në këtë konflikt, ndërsa pritet që të merren edhe masa procedurale ndaj personave të përfshirë në ngjarje.
Shënim: Personat e përmendur në këtë rast prezumohen të pafajshëm derisa përgjegjësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
