Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është informuar nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi për lirimin nga paraburgimi të shtetasit të Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili nga autoritetet gjyqësore të Serbisë ishte mbajtur nën akuza të pabazuara për “vrasje të rëndë” lidhur me ngjarjet në Banjskë në vitin 2023.
Që nga dita e parë e arrestimit, MPJD së bashku me institucionet gjegjëse kanë ndjekur nga afër rastin dhe kanë ofruar mbështetjen e nevojshme, duke insistuar që ndaj tij të respektohen të drejtat themelore të njeriut dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
MPJD rithekson se akuzat e ngritura nga autoritetet serbe kanë qenë të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova. Paraburgimi i zgjatur ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë, ndërsa lirimi i z. Spahiu tregon qartazi se pretendimet e Serbisë nuk kanë qëndruar.
Ministria thekson se përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve kosovarë duhet të marrë fund. MPJD falënderon institucionet vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar në trajtimin e drejtë të këtij rasti dhe ripërsërit përkushtimin për mbrojtjen e çdo qytetari të Kosovës, kudo që gjendet.
