Hykmete Bajrami nga LDK ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrit në detyrë Hekuran Murati lidhur me subvencionimin e faturave të energjisë elektrike. Ajo thotë se qeveria po i subvencionon xhepat e tregtarëve të energjisë, me të cilët kanë lidhje të ngushta.
“Subvencionimi i faturave të energjisë – korrupsioni dhe gënjeshtra më e madhe e kësaj Qeverie”, deklaron Bajrami. Ajo shton se në tetor 2019, një familje mesatare në Kosovë ka paguar 54 euro për rrymë, ndërsa e njëjta familje në tetor 2025 paguan 169 euro. “Kjo tregon një rritje prej 300% të çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare. Dhe tani na thonë ‘ne jemi për popullin dhe po subvencionojmë faturat familjeve’,” shton Bajrami.
Sipas saj, pas liberalizimit të tregut, rreth 1300 biznese vendore, pjesa më e madhe prodhuese, që tetorin e vitit të kaluar paguanin 75 euro për MWh, tash paguajnë 206 euro. “Ndërkohë, të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se importi i energjisë gjatë pesë viteve të qeverisë së Albin Kurtit (2021 – shtator 2025) ka arritur në 811 milionë euro, krahasuar me 273 milionë euro gjatë periudhës 2015-2020,” thekson Bajrami.
Ajo përfundon me kritika të forta: “Po i subvenciononi xhepat e tregtarëve të energjisë me të cilët keni lidhje të ngushta, me paratë e rinisë që ka ikë në mërgim e nga atje po e financon konsumin në Kosovë. Kjo është krejt lehtë e faktushme dhe tregon mashtrimin e qeverisë.”


