Thursday, June 18, 2026
HomeInformata , Siguri dhe VetdijesimNuk ka prova për publikimin e aktakuzës – shtyhet seanca fillestare për...

Nuk ka prova për publikimin e aktakuzës – shtyhet seanca fillestare për krime lufte ndaj një të akuzuari serb

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit Vitomir Naskoviq, i cili po akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998–1999.

Seanca nuk u mbajt për shkak se, sipas Prokurorisë Speciale, nuk ekziston ende dëshmi se aktakuza është publikuar në faqen zyrtare, ashtu siç e parashikojnë procedurat ligjore. Gjykimi ndaj Naskoviqit po zhvillohet në mungesë, pasi ai vazhdon të jetë i paarritshëm për institucionet e drejtësisë.

Prokurori special Ilir Morina bëri të ditur se Prokuroria ka dërguar urdhëresë për publikimin e aktakuzës në Këshillin Prokurorial të Kosovës, por deri tani nuk ka konfirmim zyrtar se ky publikim ka ndodhur. Ai sqaroi se komunikimi mes Prokurorisë dhe Gjykatës është realizuar përmes e-maileve zyrtare, të cilat për një periudhë kanë qenë joaktive për shkak të ndërhyrjeve teknike nga Agjencia Shtetërore e Informacionit.

“Për shkak të mungesës së dëshmisë për publikimin e aktakuzës, vlerësojmë se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës fillestare”, deklaroi Morina.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ali Ajeti, u shpreh se nuk e kundërshton propozimin e Prokurorisë për shtyrjen e seancës.

Pas këtyre deklarimeve, gjyqtari i çështjes, Kujtim Krasniqi, e aprovoi propozimin dhe njoftoi se seanca e shqyrtimit fillestar do të caktohet pasi Prokuroria Speciale të konfirmohet zyrtarisht për publikimin e aktakuzës dhe ftesave në faqen zyrtare përkatëse.

Prokurori Morina theksoi se janë përmbushur kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë, duke shtuar se për Naskoviqin janë lëshuar thirrje për paraqitje, urdhërarrest vendor dhe ndërkombëtar, si dhe masa të tjera procedurale në bashkëpunim me Gjykatën Themelore.

Sipas aktakuzës së ngritur më 20 dhjetor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Vitomir Naskoviq akuzohet se më 16 prill 1999, në Suharekë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, ka kryer vrasje, keqtrajtime fizike dhe psikike ndaj civilëve shqiptarë, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Aktakuza përshkruan se në një pikë kontrolli në hyrje të Suharekës, në zonën e njohur si “Të vreshtat”, i akuzuari, i veshur me uniformë të policisë serbe me mbishkrimin “Milicija”, ka urdhëruar ndalimin e kolonës së popullsisë civile shqiptare që po largohej drejt Shqipërisë. Pas ndalimit dhe identifikimit të viktimave Sh.A. dhe M.A., ai dyshohet se ka urdhëruar nxjerrjen e tyre nga traktori dhe, bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, viktimat dhe i dëmtuari Shabi Selimi janë shtyrë drejt vreshtave të rrushit, ku më pas janë sulmuar me armë zjarri dhe mjete shpërthyese. Si pasojë, Sh.A. dhe M.A. kanë humbur jetën, ndërsa Selimi ka mbetur i plagosur në këmbë dhe në krah.

Me këto veprime, Vitomir Naskoviq akuzohet për veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Burimi: Betimi për Drejtësi

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments