Prishtinë, 14 Qershor 2025 – Qeveria e Kosovës ka reaguar me ton të prerë ndaj zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, duke dënuar ashpër përshkallëzimin e situatës midis Iranit dhe Izraelit dhe duke i bërë thirrje Iranit që të ndalojë veprimet që rrezikojnë stabilitetin rajonal dhe global.
Në një komunikatë zyrtare, Zyra e Kryeministrit të Kosovës theksoi se “ndjek me shqetësim të thellë krizën e sigurisë”, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
“Irani duhet të ndalojë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe t’i përmbahet detyrimeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA)” – thuhet në deklaratë, duke nënvizuar shqetësimet për pasurimin e përshpejtuar të uraniumit nga ana e Iranit.

Kosova ritheksoi angazhimin e saj ndaj zgjidhjeve diplomatike dhe parimeve të paqes, sigurisë ndërkombëtare dhe mbrojtjes së civilëve.
“Përshkallëzimi i dhunës mund të sjellë pasoja tragjike jo vetëm për palët në konflikt, por për sigurinë dhe ekonominë globale”, thuhet më tej në reagim.
Autoritetet kosovare gjithashtu kanë këshilluar qytetarët e Kosovës që ndodhen në rajon apo kanë kontakte atje, që të ndjekin me kujdes udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe autoriteteve lokale, për shkak të rrezikut në rritje.
