Një incident serioz është regjistruar mbrëmjen e sotme në Han të Elezit, ku një mur mbrojtës është shembur papritur dhe ka rënë mbi një veturë që po qarkullonte në atë zonë.

Si pasojë e ngjarjes, shoferi i veturës, një i mitur 16-vjeçar, ka mbetur i bllokuar brenda automjetit. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt.
Zëdhënësi i policisë, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se në veturë ndodhej vetëm shoferi dhe se menjëherë pas raportimit në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Emergjencës dhe Zjarrfikësve nga Hani i Elezit.
Ekipet intervenuese kanë nisur menjëherë operacionin për nxjerrjen e të bllokuarit, i cili, sipas policisë, ka qenë me vetëdije gjatë gjithë kohës, por i pamundur të dalë vetë nga vetura për shkak të rrënojave.
“Rreth orës 22:00, njësia e zjarrfikësve ka arritur të nxjerrë nga vetura shoferin, i cili kishte pësuar lëndime trupore, por ishte me vetëdije. I njëjti është dërguar nga njësia emergjente për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Hanit të Elezit,” ka deklaruar Veseli.
Në lidhje me rastin është njoftuar edhe Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Han të Elezit, e cila ka nisur procedurat për sqarimin e rrethanave të incidentit.
